Presioni për kombëtaret europiane të futbollit ka nisur të shtohet, teksa këtë nëntor luajnë mundësitë e fundit për të qenë në finalet e Botërorit “Rusi 2018”.
Tetë skuadra të impenjuara në ndeshjet e fazës “play off” do të diskutojnë 4 biletat e fundit të mbetura nga kontinenti i vjetër, për turneun rus të verës së ardhshme.
Vëmendja kryesore do të jetë më 10 nëntor, në stadiumin e Solnës, kur Suedia do të presë Italinë. “Të kaltrit” janë favoritë përballë vendasve, që nuk kanë më në formacion një gjigant si Ibrahimoviç, por pikërisht për këtë, presioni është mbi ekipin nga Apeninet, që ndeshjen e kthimit e luan më 13 nëntor në “San Siro”.
Irlanda e Veriut do të presë Zvicrën, më 9 nëntor në shtëpi, ndërsa kthimi ndaj helvetëve 3 ditë më vonë në “St Jacob Parc” të Bazelit. Ashtu si shpeshherë, faktor vendimtar do të jenë lojtarët shqiptarë të Zvicrës: Shaqiri, Xhaka dhe Xhemaili.
Derbi i parë ballkanas mes Kroacisë dhe Greqisë luhet më 9 nëntor në Zagreb, ndërsa kthimi në Athinë më 12 nëntor. Në letër, “dalmatët” janë favoritë falë arsenalit sulmues, por mbetet për t’u parë se çfarë do të rezervojë fillimisht skenari i stadiumit “Maksimir”.
Danimarka do të luajë ndaj Irlandës, në përballjen e parë mes tyre më 11 nëntor në Kopenhagen, e kthimin në Dublin, 3 ditë më vonë. Nicolai Jorgensen do të frymëzojë nordikët në sulm, në një përballje ku vendasit janë të fortë edhe në portë, me Kasper Schmeichel. Për Irlandën, që nuk ka çfarë të humbë, faktori forcë është kolektivi.
Top Channel