Champions, kualifikohen 4 ekipe. Roma fiton përballë Chelseat

31/10/2017 22:36

Champions League ka mbyllur siparin e përballjeve të katërta të fazës së grupeve, duke dhuruar gola, spektakël dhe biletat e para kualifikuese për në raundet me eliminim të drejtpërdrejtë.

Kështu janë kualifikuar Manchester United, Paris SG dhe Bayern Munchen, si dhe Barcelona, ndërkohë që lufta më e ashpër është në grupin C, aty ku kemi një duel italo-anglez për vendin e parë. Roma mposhti Chelsean në ndeshjen e kthimit në “Olimpico”, 3-0, pas barazimit 3-3 në “Stamford Bridge” të Londrës. Spikat dygolëshi i El Shaarawyt, i cili po kalon një moment shumë të mirë me klubin roman.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të grupit C, Atletico është ndalur sërish në barazim 1-1 nga Karabaku i Ansi Agollit, duke minimizuar mundësitë për kalimin e grupit, e duke qenë lehtësisht favorit për të kaluar në Europa League, si vend i tretë.

Grupi që nuk ka njohur fitues mbrëmjen e sotme ishte ai D, ku si Barcelona kryesuese, ashtu edhe Juventusi ndjekës janë frenuar në transfertat greko-portugeze. Olympiacosi 0-0 me katalanasit, ndërsa portugezët e Sportingut për pak befasuan “Zonjën e vjetër”.

Në ndeshjet e tjera, Parisi ka shpartalluar 5-0 Anderlechtin, ndërsa Bayern Munchen 2-1 Celticun, duke lënë ende të hapur betejën për vendin e parë, kur gjermanët ndjekin me 3 pikë më pak francezët.

Në Angli, United mposhti 2-0 Benfikën, duke e nxjerrë këtë të fundit jashtë Europe, ndërsa Bazeli i Taulant Xhakës u mposht në shtëpi nga CSKA-ja e Moskës, duke vënë në diskutim vendin e dytë në grup.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA