Zhvillimi profesional i mësuesve është faza tjetër e procesit të reformës në arsim dhe për këtë Kryeministri Edi Rama njoftoi reduktimin e drejtorive arsimore rajonale.
“Procesi i reformimit do të vazhdojë dhe do të kemi vetëm katër drejtori arsimore rajonale në të gjithë vendin”, deklaroi Kryeministri.
“Në këtë proces baza është përvoja dhe pasioni i mësuesve, sepse sado e bukur të jetë në letër reforma, zbatimi është krejt tjetër. Sot kemi drejtues shkollash që janë aksident politik dhe ne do të ruajmë larg politikës procesin e zgjedhjes së drejtorëve të rinj”, u shpreh Rama.
Ndërkohë që ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se qeveria ka të qartë rrugën dhe vullnetin për të vijuar me procesin e përzgjedhjes së mësuesve që dalin nga fakultetet e mësuesisë.
“Do të fillojmë një reformë totale në fakultetet e edukimit. Rritja e profesionalizimit në mësuesi është një prioritet dhe ne do të bëjmë gjithçka, deri tek kuotat e mbyllura, por edhe vendosjen e mesatares për programet e mësuesisë”, u shpreh ajo.
Nikolla tha se mësuesit do të mbështeten edhe përmes programeve të zhvillimit, por edhe përmes rritjes së pagave.
Top Channel