Ish-këshilltari i Trump pranon fajësinë: Gënjeva agjentët e FBI-së

30/10/2017 22:10
George Papadopoulos

Njëri nga këshilltarët kryesorë të fushatës zgjedhore të Donald Trumpit është vetëshpallur fajtor se ka gënjyer FBI-në në lidhje me periudhën e takimeve me ndërmjetësit e dyshuar të Rusisë.

George Papadopoulos pranoi se bisedimet kanë ndodhur në kohën kur ai punonte për Trumpin, e jo më parë, mësohet nga dokumentet e dorëzuara në gjykatë. Ai ka rrëfyer gjithashtu se i kishin thënë që rusët zotëronin “materiale të pista”, që do të thotë kompromentuese, për kandidaten rivale demokrate Hillary Clinton.

Ndërkohë, ish-menaxheri kryesor i fushatës së Trumpit, Paul Manafort u deklarua i pafajshëm ndaj akuzave për pastrim parash, që në fakt nuk kanë lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Akuzat ndaj Papadopoulos janë të parat që ngrihen nga Robert Mueller, prokurori special që po heton lidhjet e mundshme mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së Trumpit.

Por si mund të ndikojë çështja “Papadopoulos” te kreu aktual i Shtëpisë së Bardhë? Ajo ka të gjithë potencialin e mundshëm për të dëmtuar presidentin amerikan, pasi lidhet drejtpërdrejt me fushatën e tij, thonë analistët.

Papadopoulos, një avokat ndërkombëtar energjie me vendbanim në Chicago, ishte shumë i afërt me ish-kandidatin e atëhershëm për president, mjaftueshëm sa për t’u bërë pjesë e një fotografie (i treti nga e majta në foton e mëposhtme) të ekipit të sigurisë kombëtare, foto të cilën Trump e publikoi në “Twitter” më 1 prill të vitit 2016.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ish-këshilltari i Politikës së Jashtme për Trump pranoi më 5 tetor se kishte penguar hetimin e FBI-së për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhje. Kur ai u intervistua në janar nga agjentët federalë, ai mashtroi duke thënë se kishte takuar dy personalitete me lidhje me Rusinë përpara se t’i bashkohej fushatës së Trumpit në mars të vitit 2016. Por, realisht ai i kishte takuar ata pasi iu bashkua ekipit të Trumpit.

Njëri prej personaliteteve ishte një grua ruse, e cila nuk është identifikuar, që siç beson Papadopoulos ka pasur lidhje me zyrtarët qeveritarë rusë. Ai pranoi se kishte tentuar t’i shfrytëzonte lidhjet e saj, në një përpjekje për të siguruar një takim “mes zyrtarëve të fushatës dhe zyrtarëve qeveritarë rusë”.

Edhe personi tjetër, sërish i paidentifikuar, është një profesor me banim në Londër, që thuhet se ka pasur “lidhje thelbësore me zyrtarët e qeverisë ruse”. Profesori, siç thuhet në dokumentet gjyqësore, ishte interesuar mbi këtë çështje vetëm falë statusit të Papadopoulos brenda fushatës së presidentit Trump.

Informacionet “e pista” ruse ndaj Clintonit, që do të jepeshin në formën e “mijëra e-maileve”, dyshohet të jenë përmendur nga profesori në fjalë gjatë një takimi në një hotel të Londrës, më 26 prill 2016 ose rreth kësaj date. Profesori ka thënë se ishte informuar mbi “e-mail”-et kompromentuese kur ishte takuar me zyrtarë të lartë të qeverisë ruse gjatë një udhëtimi drejt Moskës.

Ndihmësit e Trump kanë thënë se Papadopoulos kishte një rol të kufizuar në fushatë dhe se nuk ka pasur qasje te vet kandidati i kthyer në president, raporton “Associated Press”.

Foto, Papadopoulos pjesë e ekipit të sigurisë kombëtare në fushatë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA