Dorëheqja emocionale e Gugash Maganit, pas përfundimit të ndeshjes Lushnja-Teuta, është refuzuar nga Klubi i Futbollit Teuta dhe trajneri peqinas do të vazhdojë detyrën e tij.
Ndërkohë, klubi pritet të marrë masa ekstreme për disa prej lojtarëve. Në një njoftim në rrjetin social Facebook, drejtuesit e klubit bregdetar konfirmojnë se kanë refuzuar kërkesën për dorëheqje të Maganit, duke i konfirmuar atij besimin e plotë për punën që bën. Sipas tyre, Magani do të vijojë të drejtojë skuadrën edhe për pjesën tjetër të sezonit.
Në një tjetër postim, Klubi Teuta njofton një mbledhje të jashtëzakonshme me skuadrën ditën e hënë, ku paralajmërohen masa të rrepta, deri në përjashtime të disa futboliustëve, të cilët Magani i etiketoi si “senatorë” në përfundim të ndeshjes me Lushnjën.
Teuta nuk fiton prej 6 ndeshjesh asnjë takim në Superiore, duke zbritur shumë vende në klasifikim, ndërkohë që në 4 ndeshjet e fundit ka marrë 4 humbje.
Top Channel