Spitali i Traumës, Rama: Model për çdo spital rajonal në vend

29/10/2017 15:54

Pas dy vitesh ndërhyrjeje, sot Spitali Universitar i Traumës ofron shërbim bashkëkohor dhe cilësor, pas reformimit të thellë të shërbimit shëndetësor me pajisje dhe infrastrukturë moderne, me 11 salla operatore të rehabilituara.

Kryeministri Rama vizitoi ambientet e reja, shoqëruar nga ministrja Manastirliu, duke e vlerësuar këtë investim si një faqe të re për Spitalin e Traumës.

“Ka ndodhur një revolucion teknik i paparë. Sot mund të krahasohemi me spitalet bashkëkohorë që kemi parë në Itali e Gjermani”, tha kryeministri.

Para ndërhyrjes, Reanimacioni dhe Urgjenca e Politraumës punonte me pajisje të vjetra, që prej vitit 1970 dhe në kushte të papërshtatshme, që rrisnin rrezikun e infeksioneve spitalore.

Fizioterapia dhe Rehabilitimi ishin thuajse jashtë funksionit.

“Spitali i Traumës, që prej ndërtimit të tij asnjëherë nuk është investuar. Janë dy investime radikale që janë kryer për ndryshimin e të gjithë shërbimeve, nga Urgjenca, Reanimacioni, shërbimet pritëse dhe pastaj është realizuar gjithë pajisja e plotë me aparaturat biomjekësoe dhe pajisjet spitalore”, tha Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë.

“Llogarisim rreth 16 të sëmurë, vetëm të spitalit, dhe ata që kanë mbaruar periudhën akute, do të shkojnë në shtëpi, por përsëri do të vijnë të ushtrohen këtu”, tha Gjovalin Bushi, drejtor i Spitalit Universitar të Traumës.

Duke e cilësuar Spitalin e Traumës si një ndër më të mirët në vend përmes këtij investimi, kryeministri shprehu ambicien për ta çuar këtë cilësi në shërbim dhe infrastrukturë në çdo spital rajonal të vendit.

“Para katër vitesh ishte një spital lufte, se nuk ishte vënë më dorë. Sot është një gjë krejt tjetër dhe fakti që është i gatshëm për t’u akredituar e për t’u certifikuar me certifikatat e Bashkimit Europian, duke filluar nga gjithë instrumentet mjekësore, procesi i sterilizimit, plus dhe gjithë zonat e reja të pritjes, të trajtimit, të rehabilitimit, është realisht një ëndërr që bëhet realitet. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por ambicia është që të njëjtën cilësi ta çojmë në të gjithë spitalet rajonale të Shqipërisë”, deklaroi më tej Rama.

Top Channel