Kryemadhi: Rama aktron me shpresën se do t’i shpëtojë drejtësisë

29/10/2017 19:17

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi reagoi ndaj fjalës së Kryeministrit Rama për Vettingun.

Kryemadhi shkroi në “Facebook” se Rama është ishte i frikësuar edhe sot dhe aktroi duke “qarë” hallet e popullit e duke përgëzuar procesin e Vettingut.

Kryetarja e LSI thotë më tej se Rama “përshëndet komisionet e Vettingut dhe nga ana tjetër përçmon dhe fyen ato institucione që faktojnë përfshirjen e ish ministrit të brendshëm në trafikun e drogës”.

Postimi i plotë

“Kryeministri i frikësuar edhe sot aktroi duke “qarë” hallet e popullit e duke përgëzuar procesin e Vettingut. Edi Rama flet për drejtësinë ndërkohë që nuk lejon prokurorinë të hetojë për ish bashkëpunëtorin e tij të ngushtë. Përshëndet komisionet e Vettingut dhe nga ana tjetër përçmon dhe fyen ato institucione që faktojnë përfshirjen e ish ministrit të brendshëm në trafikun e drogës. Edi Rama në dukje i pashqetësuar aktron me shpresën se do t’i shpëtojë drejtësisë. Duke harruar se faktet dhe provat shumë shpejt do të çojnë në bankën e të akuzuarve ish ministra dhe bashkëpunëtorë të afërt të tij. Proces nga i cili as ai vetë nuk do të shpëtojë. Dhe për këtë nuk e ndihmon dot as fasada e përditshme që u ofron shqiptarëve nga ERtv apo media të tjera që i ka nën kontroll, as sharjet ndaj opozitës madje as provat gjenerale të pyetje-përgjigjeve para prokurorit.
Njerëzit e thjeshtë po vuajnë pasojat e fuqizimit të oligarkisë dhe mjerimit të ekonomisë së familjes. Vuajnë pasojat e papunësisë varfëruese e të pamundësisë për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten apo fëmijët.
Përballë padrejtësive të qeverisë, guximi i shqiptarëve do jetë më i fortë se forca e pushtetit arrogant.
Çdo ditë që kalon shënon afrimin drejt fundit të një qeverisje të dështuar që do mbahet mend për kanabizimin e Shqipërisë dhe inkriminimin e politikës.
Shteti duhet të kthehet në shërbim të qytetarëve”, shkruan Kryemadhi.

Top Channel