Qendrat e votimit janë çelur në 7 të mëngjesit në Maqedoni, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ku marrin pjesë 70 kandidatë për kryetarë komunash.
Raundi i parë, i mbajtur më 15 tetor, përcaktoi kryetarin e Bashkisë së Shkupit, drejtuesit e 45 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë.
Balotazhi zhvillohet në 35 komuna me mbi 1.500 qendra votimi, ku kanë të drejtë vote gati 834 mijë qytetarë. Plot 5.100 vëzhgues vendas e të huaj janë akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto votime.
Më interesante, gara pritet të jetë në zonat e banuara me shumicë shqiptare, si Tetova, ku garon Teuta Arifi e BDI-së dhe Bilall Kasami i Lëvizjes “Besa”; Gostivari, ku gjenden përballë njëri-tjetrit Nevzat Bejta i BDI-së dhe Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët; Struga me Ziadin Selën e Aleancës për Shqiptarët kundër Ramiz Merkos së Bashkimit Demokratik për Integrim; Çairi, ku Visar Ganiu (BDI) përballet me Zeqirja Ibrahimin e “Besës”; si dhe Dibra, ku garon Ruzhdi Lata po nga BDI me Arben Agollin e ASH-së.
Ajo që ka qenë në qendër të debatit këto javë, prej fillimit të fushatës e këndej, është koalicioni i hapur mes partnerëve qeveritarë, LSDM dhe BDI, një mbështeje reciproke që rezultoi me zgjedhjen qysh në raundin e parë të kandidatit socialdemokrat për kreun e qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe të kreut të Kërçovës nga radhët e BDI-së, Fatmir Dehari.
Një koalicion tjetër, jo dhe aq i natyrshëm sipas VOA-s, është ai mes Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes “Besa”, e para parti qeveritare dhe e dyta në opozitë, që veç kësaj ka pasur një histori sulmesh të ndërsjella verbale deri para dy javësh. Por, kjo aleancë ka gjasa reale ta rrezikojë fitoren e BDI-së në garën e dytë e të fundit të zgjedhjeve vendore.
Dy partitë shqiptare i mbështesin kandidatët e njëra-tjetrës në 12 komuna, nga Likova në veri të vendit, deri në Strugë. BDI, ndërkohë, ka hedhur kundërakuza ndaj partive rivale, duke thënë se ato janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikola Gruevski.
Elektorati i kësaj të fundit, sipas analistëve, do të votonte për ta dëmtuar BDI-në në komunat me shumicë shqiptare. Fushata në balotazh ka qenë edhe më e ashpër, sipas njohësve të çështjeve politike, që konsiderojnë se këtë herë, partitë politikë e vunë në funksion të gjithë arsenalin politik, jo për të prezantuar projektet në funksion të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve, por për denigrimin dhe njollosjen e kundërshtarëve politikë.
Top Channel