Varrezat e makinave, do të mbyllen ato që nuk plotësojnë kushtet mjedisore

29/10/2017 11:54

Ka nisur heqja e lejeve të ushtrimit të aktivitetit të bizneseve në kryeqytet që nuk kanë respektuar kriteret e lejeve mjedisore.

Asnjë pikë grumbullimi makinash të vjetra që përdoren për skrap apo materiale të tjera nuk do të funksionojë më brenda zonave të banuara.

Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Mjedisit u kanë hequr lejen mjedisore disa subjekteve të cilat nuk respektonin kriteret e përcaktuara.

“Ne nuk mund të kemi në mes të qytetit pika të cilat merren me riciklimin dhe grumbullimin e mbetjeve. Ato duhet të jenë të organizuara dhe të funksionojnë sipas procedurave ligjore. Në bashkëpunim me ministrinë, kemi rishikuar lejet dhe më shumë se 30 biznesev i është revokuar leja mjedisore”, tha nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbër Mazniku.

Në Tiranë numërohen më shumë se 170 pika grumbullimi jo vetëm pjesësh makinash, por edhe materialesh inerte, disa prej të cilave fare pranë zonave të banimit.
Ministri i Mjedisti, Blendi Klosi, deklaroi: “Kjo është një problematikë që ka nevojë për mekanizma ligjorë për t’u zgjidhur. E para, për të gjetur zgjidhje të fundme ligjore në kuadër të mbrojtjes së mjedisit, por edhe në kuadër të një zhvillimi që ka marrë qyteti. Nuk mund të lejohet që pika të tilla grumbullimi të jenë pa kushte minimale dhe pa standarde optimale të realizimit të këtij aktiviteti”.

Aksioni ka nisur në një nga pikat më të mëdha të grumbullimit në njësinë numër 6, ndërkohë që nënkryetari i Bashkisë Tiranë dhe ministri i Mjedisit u kërkojnë qytetarëve që të denoncojnë në portalin “Bashkëqeverisja me qytetarët” në rastet kur konstatojnë shkelje të ligjit nga subjekte të ndryshme.

Top Channel