Festa e ullirit në Kurjan, pranë kishës 7-shekullore

28/10/2017 13:49

Kisha 700-vjeçare e Kurjanit, në bashkinë e Roskovecit është bërë mikpritësja e Festës së Ullirit, në vitin e dytë të organizimit të saj.

Kjo kishë e vjetër, është një ndër simbolikat e të gjithë kësaj zone, dhe për këtë arsye është zgjedhur për të zhvilluar këtë panair të veçantë, që në vetvete mbart historinë dhe traditën.

Gjatë veprimtarisë kryetarja e bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi është ndalur tek rëndësia e kësaj kishe, që është lënë në harresë për vite me radhë, por që tashmë ka një projekt restaurues, i cili sipas kryebashkiakes Bufi, nëse nuk bëhet nga qeveria do të bëhet me të ardhurat vendore.

“Ajo është në të njëjtën gjendje dhe kushte prej vitesh, nuk ka pasur vëmendjen e asnjë prej pushteteve vendore apo qeverisjes qendrore. ne gjatë këtij viti kemi hartuar projektin e plotë të zbatimit për restaurimin e kishës”, thotë Bufi.

Për rëndësinë e kësaj kishe dhe vlerat që ajo ka përcjellë ndër breza foli edhe At Dhimitër Loshi.

“Kjo kishe mendohet të jetë ndërtuar që nga shekulli i 12-të. Më pas në vitin 1760 është bërë një restaurim i kësaj kishe dhe nga fundi i shek 18 janë zografisur pikturat murale në kishe, nga piktori i mirënjohur Johan Çetiri”, thotë At Dhimitër Loshi.

E ndodhur mes një zone të begatë, ku ulliri dominon kudo, kisha e Kurjanit është më e vjetra në bashkinë e Roskovecit dhe jo vetëm. Festa e Ullirit mblodhi pranë vetes deputetë, përfaqësues të bashkive të tjera, prefektin e qarkut, miq e të ftuar.

Top Channel