Eshtrat e ushtarëve grekë në Bularat, ambasadorja: Të rifillojë komisioni

28/10/2017 19:08

Në ceremoninë e përvitshme simbolike pranë varrezave të të rënëve grekë të luftës italo-greke në Këlcyrë dhe Bularat u ngrit me deklarata të forta çështja e eshtrave të pagjetura të shumicës së tyre.

Qindra qytetarë grekë, të afërm të ushtarëve të vrarë udhëtuan drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore.

Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani kërkoi nga Bularati rifillimin e punës së komisionit dypalësh për çështjen e gjetjes së eshtrave të ushtarëve helenë.

“Shpresojmë që marrëveshja me Shqipërinë, si një vend anëtar i NATO-s, të bëhet funksionale sa më shpejt për gjetjen, identifikimin dhe rivarrosjen e të rënëve tanë. Është detyrimi ynë të përpiqemi derisa të marrim edhe ushtarin e fundit të rënë në Shqipëri”, u shpreh Surani.

Ndërsa kreu i Shoqatës së Ushtarëve të Viteve ‘40 pa Varr, Jorgos Surlas kërkoi rihapjen e çështjes, që sipas tij është e mbyllur prej më shumë se 6 vitesh.

“Ka vetëm 59 varre këtu në Bularat dhe për këtë i jemi mirënjohës banorëve që gjetën medalionet e tyre me numra dhe i shënuan më pas mbi gurët e varreve. Nuk mund të them të njëjtën gjë për qeverinë shqiptare. Ende pas 76 vitesh nuk kemi eshtrat e të rënëve. Marrëveshja e 2009-s nuk po respektohet nga Shqipëria dhe kjo po na indinjon të gjithëve. Jam i sigurt që po flas edhe në emër të familjeve të të rënëve”, tha Surlas.

Pala greke ka kërkuar disa vite më parë rivarrosjen në manastirin e Këlcyrës, në varreza murale të rreth 2.500 ushtarëve grekë që humbën jetën brenda territorit shqiptar gjatë luftës italo-greke, por bisedimet e komisionit ndërshtetëror të ngritur në 2009-n u ndërprenë në atë kohë për shkak të mosmarrëveshjeve mbi këtë çështje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA