Spitalet, nis testimi i drejtorëve

27/10/2017 14:51

Nis zyrtarisht gara për drejtorët e rinj të spitaleve universitare dhe rajonale. 53 kandidatë u testuan me shkrim ditën e premte, për të qenë drejtues në 1 nga 11 spitalet rajonale dhe 22 të tjerë për 1 nga 5 spitalet bashkiake.

“Është hera e parë që zhvillohet një konkurs i tillë, publik, transparent për drejtuesit e shëndetësisë në vend. Ky është një standard i ri, një model i ri dhe tashmë nuk ka më kthim mbrapa, por çdo konkurs do të zhvillohet mbi bazë meritokracie dhe mbi baza të procedurave transparente”, tha Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Por, testimi me shkrim është vetëm një nga filtrat. Ministrja e Shëndetësisë thotë se pjesëmarrësit do të kalojnë nëpër disa faza.

“Kishim 84 aplikime në fazën e parë ku u konkurua me dosje, me kritere tashmë të shpallura, ku përfshihet edhe eksperienca në punë. Nga 84 aplikues, 75 e kanë kaluar fazën e parë dhe testohen sot me shkrim. Më pas, do të konkurohet në fazën e tretë, atë të provimit me gojë, me një komision tashmë të ngritur Ad-hoc, të përbërë nga ekspertë të shëndetësisë dhe menaxhimit në Shqipëri si dhe ekspertë ndërkombëtarë të menaxhimit spitalor”, u shpreh ajo.

Sipas Shëndetësisë, në datat 1, 2 dhe 3 nentor me një komision Ad-hoc do të zhvillohet provimi me gojë, ndërsa 16 drejtuesit e rinj të spitaleve do të shpallen pas numërimit të pikëve për çdo fazë.

Top Channel