Mungesa e higjenës, ISHSH mbyll shkollën në Postribë

27/10/2017 20:59

Në redaksinë e “Fiks Fare” mbërriti një telefonatë që sinjalizonte një protestë që do behëj nga prindërit e nxënësve të shkollës së mesme të bashkuar “Adem Haxhija”, në Postribë të Shkodrës.

Ata u shprehën për “Fiks Fare” se kushtet e shkollës janë tmerrësisht skandaloze. 607 nxënësit e saj, duke filluar që nga parashkollorët e deri në vitin e fundit të shkollës së mesme, nuk kanë ku të kryejnë nevojat personale.

Në të treja katet e godinës, ku gjithësej janë 40 tualete, asnjë prej tyre nuk funksionon. Plus, në tualete nuk ka as ujë dhe tubat janë të çarë.

“Kjo situatë zgjat prej kohësh dhe në jemi ankuar, por askush nuk na e ka vënë veshin. Edhe sot me anë të letrave të shumta kemi kërkuar që këtu të kishim një përfaqësues të bashkisë, por nuk ka ardhur kush”, thanë prindërit.

Ata treguan se që nga viti 2003, kur është bërë rikonstruksioni i kësaj shkolle nga një fondacion italian, më pas nuk është vënë dorë mbi të. Paratë për lyerjen e shkollës i kanë mbledhur vetë, por shkolla ka probleme më të mëdha akoma, si mungesa në banga e karrige.

Duke parë kushtet e shkollës, “Fiks Fare” iu drejtua Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor të Shkodrës. Kryeinspektorja Arsida Tyli deklaroi se ky institucion ka kryer një inspektim në muajin qershor dhe ka lënë detyra për përmirësimin e situatës, por më pas nuk janë bërë më inspektime.

Falë informacionit që “Fiks Fare” paraqiti, zonja Tyli urdhëroi ngritjen e një grupi inspektorësh për të shkuar në vend për të parë nga afër gjendjen ku mësojnë 607 nxënës.

Pas inspektimit në shkollën e Postribës, ISHSH mori masë për mbylljen e menjëhershme të procesit mësimor deri në përmirësimin e kushteve.

Gjithashtu, ISHSH ndëshkoi me një gjobë 200.000 lekë Bashkinë e Shkodrës për moszbatimin e detyrave që ky institucion u kishte lënë në qershor.

Adminstratori i njësisë Postribë, Altin Shabaj u shpreh se e kishin planifikuar bërjen e tenderit mbi projektin për përmirësimin e kushteve të banjave të kësaj shkolle, por nuk kishin qenë në dijeni të gjendjes alarmante që ekzistonte.

Administratori Shabaj u shpreh se ndërhyrja në shkollë do të ishte e menjëhershme. Pas një jave gazetarët e “Fiks Fare” u rikthyen në shkollën e mesme të bashkuar “Adem Haxhija”, ku situata dukej e normalizuar.

Përkohësisht njësia administrative e Postribës ka ndërhyrë në rregullimin e tualeteve dhe kushteve higjeno-sanitare, por rikonstruksioni i plotë i shkollës do të bëhët pasi të bëhët tenderi, që çuditërisht kryhet në mesin e vitit shkollor.

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA