Meta: Azem Hajdari, nderon Kombin shqiptar

27/10/2017 12:58

Azem Hajdari “rikthehet” në vendlindje. Në qytetin e Bajram Currit është përuruar shtatorja e vendosur në nder të Heroit të Demokracisë.

Vendosja e shtatores është përshëndetur nga Presidenti i vendit, Ilir Meta.

“Vendosja e monumentit të Azemit në vendlindjen e tij të shtrenjtë është një gjest fisnik mirënjohjeje jo vetëm për kontributin e tij të pazakontë, por edhe për vlerat shoqërore kombëtare që kjo vatër e patriotizmit ka mbartur në shekuj. Portreti i bashkëstudentit tonë të dhjetorit nderon familjen e tij të dashur, Tropojën dhe gjithë kombin shqiptar. Ai do të ngelet përgjithmonë tribuni popullor i dashur jo vetëm për demokratët, por edhe për shumë shqiptarë pavarësisht bindjeve të tyre politike”, thuhet në mesazhin e Ilir Metës.

Mesazhi i Presidentit Meta iu përcoll të pranishmëve të shumtë në ceremoninë e përurimit të shtatores, që u zhvillua në qendrën e qytetit të Bajram Currit nga Këshilltari Ushtarak i Tij, Gjeneral Brigade Piro Ahmetaj.

Top Channel