Durrës, policia finalizon dy operacione antidrogë, 3 në pranga

27/10/2017 10:20

Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepe njoftoi finalizimin me sukses të dy operacioneve të ndërmarra nga uniformat blu të qytetit bregdetar në 24 orët e fundit.

Në operacionet e kodur “Vazhdimësia ” dhe “Mafsheq” u sekuestruan heroinë, hashash, shuma parash dhe aparate celularë, ndërkohë që janë arrestuar në flagrancë tre shtetas dhe proceduar në gjendje të lirë një 31-vjeçare.

Në operacionin e koduar “Vazhdimësia” janë arrestuar në flagrancë shtetasit Nderim Mona, 52 vjeç dhe Arjan Abdyli, 20 vjeç, që të dy banues në Durrës, ndërsa ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 31-vjeçaren me inicialet E.R.

Policia thotë se gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e shtetasve të mësipërm u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale 117 gr heroinë dhe 18 doza të përgatitura të kësaj droge të rëndë. Po ashtu u sekuestrua edhe një peshore elektronike, 40 mijë lekë të reja dhe 11 aparate telefonike.

Në operacionin tjetër të koduar “Mafsheq” dhe të ndërmarrë në Krujë, u arrestua në flagrancë 64-vjeçari Lik Kabili, banues në këtë qytet.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën dhe territorin përreth banesës së tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 22.5 kilogram hashash, e ndarë në pesë thasë.

Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet për zbulimin e autorëve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet në ngarkim të shtetasëve të arrestuar dhe proceduar kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel