Plani për Himarën, Qeveria: Gati regjistrimi dhe dëmshpërblimi

27/10/2017 10:31

Nuk do të ketë tërheqje të Qeverisë nga plani i rikualifikimit urban të Himarës të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Qeveria apelon që banorët të paraqesin dokumentat në takimet që do të bëhen dhe për këtë do të asistohen.

Sipas zv.ministrit të Infrastrukturës, Artan Shkreli planifikimi i shpronësimeve është sikur të gjithë pronarët do të hipotekojnë pronat e tyre, por kthim prapa, sipas tij, nuk do të ketë.

“Një gjë është e qartë dhe e sigurtë që ky projekt do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa të projektit. Projekti do të vazhdojë në atë formë që është miratuar në Këshillin Kombëtar të Territorit i cili në vetvete ka marrë parasysh edhe sugjerimet që kanë ardhur nga konsultimet me publikun dhe aktorët që preken ose ndihmohen nga ky projekt”, thotë Shkreli.

Përfaqësues të Qeverisë po vazhdojnë bisedimet me banorët që pretendojnë tapitë për objektet që preken nga projekti. Përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, Bashkisë së Himarës, Hipotekës së Vlorës dhe ALUIZNI-t zhvilluan takime, për t’i orientuar banorët se çfarë dokumentesh duhet të kenë në dispozicion.

“Ne si bashki, gjithë struktura jonë është e angazhuar dhe është në dispozicion të qytetarëve, për t’i orientuar se çfarë dokumentacioni do të kenë ata në mënyrë që ky projekt shumë i rëndësishëm për bashkinë tonë, por dhe për vetë qytetarët të finalizohet me sukses në interes të tyrin dhe në interesin e përgjithshëm”, theksoi Goro.

Top Channel