Kanceri i gjirit, fushata sensibilizuese: Bëni mamografinë

27/10/2017 12:32

Tetori është muaji i luftës kundër kancerit të gjirit. Lezha është zgjedhur këtë vit për të zhvilluar një aktivitet ndërgjegjësimi të popullatës kundër sëmundjes.

Jo vetëm të gratë që e kanë fituar betejën me këtë sëmundje, por dhe familjarët e tyre japin mesazhe të rëndësishme në aktivitetin e mbështetur mes të tjerësh edhe nga Ambasada Amerikane dhe Top Media.

Të pranishëm në ceremoni ndodhen ministrja Lindita Nikolla, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri dhe ata të pushtetit vendor të Lezhës.

Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin vuri theksin tek nevoja e kontrollit dhe diagnostikimi i hershëm i sëmundjes.

“Ju lutemi që të bëni mamografinë çdo vit. Parandalimi i hershëm është shumë i rëndësishëm dhe do të thotë që të jetosh. Fatkeqësisht 50 përqind e rasteve në shqipëri diagnostikohen me vonesë. kjo është një sëmundje e plotësisht e kurueshme, por vetëm nëse kapet në fazat e hershme të saj”, tha ajo.

Edhe ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla apeloi për kryerjen e mamografisë.

“Ju lutem mësuese, bëjeni ju të parat mamografinë dhe ju lutemi flisni, jo vetëm me nxënëset tuaja, por edhe më mamatë e tyre. Kjo është beteja jonë dhe ne do ta fitojmë së bashku”, u shpreh Nikolla.

Fushatat ndërgjegjësuese bëhen një domosdoshmëri nisur nga statistikat që tregojnë se kjo sëmundje ka nisur të prekë edhe moshat e reja.

Top Channel