
Artisti legjendar Fats Domino është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare. Televizionet lokale të Nju Orlinsit, citonin të bijën e tij që konfirmonte vdekjen duke thënë se ai ishte ndarë nga jeta paqësisht, i rrethuar nga familja.
Antoine Fats Domino jr, kish lindur në Nju Orlins, Luiziana në 1928 dhe nisi karrierën e tij muzikore në 1949.
Ai iu bashkua një saksofonisti dhe liderit të grupit Dave Bartholomeu, që prodhoi dhe ndihmoi në shkrimin e këngës së parë të Dominos, “The Fat Man”, të publikuar po atë vit.
Karriera e tij shtrihet në pesë dekada, kohë në të cilën ai shiti mbi 65 milionë disqe dhe prodhoi mbi 25 këngë të klasifikuara si Gold Singells, shifra këto që u lanë pas asokohe vetëm nga Elvis Presley.
Singëlli i tij debutues, i shitur në milionë kopje, the fat man, konsiderohet nga shumëkush si disku i parë i rok and rollit në histori. Gjithnjë i mbyllur dhe i ndrojtur, Domino, ishte pionieri i stilit që u bë sinonim i pasurisë muzikore të Nju Orlinsit.
Ai kujtohet për disa hite si “Blueberry hill”, “Aint that a shame” dhe i’m “Walking”. Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, mesazhe ngushëlluese dhe vlerësuese kanë ardhur nga e gjithë bota e artit.
Top Channel