Mallra kontrabandë, arrestohet 58-vjeçari. Procedim ndaj doganierit

26/10/2017 13:30

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga një person për kontrabandë mallrash, teksa procedohet për shpërdorim doganieri i pikës kufitare të Tre Urave Përmet.

Sipas policisë Petrit Abedini, 58 vjeç nga Tepelena është arrestuar në lagjen “Emin Matraxhiu” teksa udhëtonte me një kamion duke tregtuar mallra të ndryshme, dhe duke shkarkuar mall në një fugon pa dokumentacionin përkatës.

Grupi hetimor, pas verifikimeve të para hetimore, sekuestroi kamionin të ngarkuar me metrazhe me 2000 kg pëlhurë (astarë) të reja dhe 960 kg mallra të ndryshme që dyshohen të jenë futur kontrabandë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Tre Urat Përmet.

Ndaj Abedinit rëndon akuza e kontrabandës me mallra të tjera dhe fshehje e të ardhurave. Hetimet e mëtejshme të vijuara nga policia e Gjirokastrës çuan në procedim penal të A.I. 33 vjeç nga Përmeti, doganier në Tre Urat Përmet.

Procedimi ndaj tij filloi pasi më datë 24.10.2017, në hyrje për në Shqipëri në doganë dyshohet se nuk ka ushtruar kontroll në kamionin që drejtohej nga Petrit Abedini, i cili gjatë ditës së djeshme është arrestuar nga Policia e Elbasanit me konfeksione të dyshuara kontrabandë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA