
Monika Kryemadhi kërkoi nga strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim që të përgatiten, pasi sipas saj, vendi ndodhet në situatën më të rëndë që prej ’97.
“Ne e shikojmë të arsyeshme dhe urgjente riorganizimin e menjëhershëm të strukturave të partisë. Sa i përket situatës në vend, krimi ka marrë në dorë frenat e vendit”, deklaroi kryetarja e LSI-së në një takim me kryetarët e partisë në rrethe.
Kryemadhi thotë se seanca e së mërkurës e tregoi këtë dhe akuzoi mazhorancën për hipokrizi.
“Seanca e djeshme tregoi edhe njëherë se çdo të thotë dhe në ç’situatë ndodhet sot Shqipëria. Reagimi i Partisë Socialiste është njër reagim hipokrit dhe tashmë shikojmë se të gjitha ato të bërtitura për reformën në drejtësi nuk ishin gjë tjetër veçse ishin përgatitja e një plani për të zaptuar dhe kontrolluar sistemin e drejtësisë”, u shpreh ajo.
Për të orientuar më mirë pozicionimin e LSI-së në opozitë, Kryemadhi njoftoi mbledhjen e Konventës Kombëtare të partisë javën e ardhshme.
“Ne do të shkojmë drejt thërritjes urgjente të Konventës Kombëtare të LSI-së, për të qartësuar pozicionin e LSI-së sa i përket angazhimit politik, pozicionimin në opozitë dhe hapat e mëtejshëm”, thotë Kryemadhi.
Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetet sociale Monika Kryemadhi thotë se Edi Rama është “i frikësuari më i madh në Shqipëri, që më kot përpiqet të intimidojë me mënyrën e tij të komunikimit median dhe Prokurorinë”.
“Sharjet dhe fyerjet e tij për gazetarët edhe në qofshin përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga seanca e turpit që u zhvillua dje prapë janë shenjë e qartë e frikës së tij dhe banditëve me të cilët ndan pushtetin”, shkruan kryetarja e LSI-së në Facebook.
“Votat e krimit që blenë dje dhe përfshirjen e ish-ministrit në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nuk do të mundin kurrësesi të mposhtin vullnetin e një populli që po qeveriset nga mafia dhe rrezikon të shndërrohet në diktaturën e kanabisit”, vijon më tej ajo.
Top Channel