Greqi, alarm për gjendjen e refugjatëve në kampe

26/10/2017 18:14

Grupe për të drejtat e njeriut dhe organizata bamirëse i bien kambanave të alarmit për emigrantët e bllokuar në kampet e ishujve grekë.

Plot 19 organizata i dërguan një letër kryeministrit Alexis Tsipras, duke i kërkuar atij të zhvendosë azilkërkuesit nga kampet, që disa i krahasojnë me burgje, drejt kontinentit.

Të dhënat qeveritare tregojnë se, mbi 14.500 persona po jetojnë në 5 kampe në ishujt grekë, shumë prej të cilëve po presin prej muajsh shqyrtimin e kërkesës për azil. Organizatat bamirëse thonë se, shëndeti mendor i emigrantëve po përkeqësohet për shkak të mbipopullimit, dhunës, abuzimeve, mungesës së higjienës dhe frikës për të ardhmen e panjohur.

Sipas aktivistëve të “Mjekët pa kufij”, emigrantët shfaqin mendime për t’u vetëvrarë, për të lënduar veten, janë bërë më të dhunshëm e nuk mund të flenë.

“Njerëzit po shfaqin çrregullime ekstreme të ankthit, stresit dhe probleme të rënda në sjellje”, tha njëri prej tyre.

Në ishullin Samos, rreth 2.500 azilkërkues janë paketuar në një kamp qeveritar, i përshtatshëm për vetëm 700 vetë. Muhamed Ahlum, një refugjat sirian me dy fëmijë, thotë se së bashku me të shoqen vuajnë nga depresioni dhe takojnë psikiatër për t’u përballur me gjendjen. Fëmijët e tij nuk mund të flenë nga frika.

“Jam shumë i dëshpëruar, gruaja ime është e sëmurë. Ajo nuk mund t’i përballojë problemet e shumta këtu në kamp, e nuk mund të dëgjojë zhurmat”, tha refugjati sirian.

Vullnetarët që punojnë atje paralajmërojnë se me ardhjen e dimrit, situata do të bëhet më e vështirë, ndërsa banorët e zonës shprehin shqetësimin për numrin e madh të azilkërkuesve në ishull.

Top Channel