Në disa zona rurale të Shqipërisë, një numër i caktuar nxënësish bëjnë mësim bashkë me nxënës më të mëdhenj, ose më të vegjël se ata. Kjo ndodh sepse në atë shkollë ka pak nxënës.
Kur numri i nxënësve për klasë nuk i kalon 13 vetë, atëherë nxënësit bashkohen me nxënës të një niveli tjetër. Këto quhen klasa kolektive dhe në Shqipëri ka 3 mijë të tilla.
“Klasat kolektive janë të shpërndara në gjithë Shqipërinë, kryesisht në fshatra të thella. Zonat ku ka më shumë janë Elbasani, Tirana, Librazhdi dhe Dibra. Mësimi zhvillohet nga një mësues që përgatit njëkohësisht dy nivele. Kemi mundësuar që në disa qarqe si Konispol, Gramsh e Mirëditë të bëhet bashkimi i shkollave. Kjo bëhet çdo vit” deklaron Zamira Gjini, drejtoreshë e Arsimit Parauniversitar pranë Ministrisë së Arsimit.
Debate për ekzistencën e klasave kolektive ka patur edhe në Perëndim, në vende si Franca dhe Italia, me argumentin se bashkimi i nxënësve të niveleve të ndryshme në një klasë të vetme rrezikon njohuritë e tyre. Në këto rrethana, cila është zgjidhja që ofron ministria për rritjen e cilësisë në klasat kolektive?
“Duke parë nivelin e arritjeve të nxënësve të shohim nivelin e mësuesve dhe të ofrojmë trajnim për ta që të rrisim cilësinë”, thotë Gjini.
Top Channel