Rrëzohen 100 provat, gjykata refuzon kërkesën e Ismailajt

25/10/2017 14:19

Gjykata e Tiranës nuk ka pranuar rihapjen e hetimit gjyqësor për ish-administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailajn.

Vetë i pandehuri kërkoi në seancën e së martës që të rihapte shqyrtimin gjyqësor pasi kishte siguruar sipas tij 100 prova të reja që duhet të shqyrtoheshin nga gjykata.

Pasi u njoh me provat e paraqitura, të cilat ishin kryesisht fletë-shërbimi, kontrata qiraje, mandate pagesash për punë të kryera, vendime mosfillimi të prokurorisë apo vendime pushimi të gjykatës, trupi gjykues nuk e pranoi rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, duke i kthyer mbrapsht provat.

Në seancën e radhës pritet të jepen konkluzionet e mbrojtjes, ndërsa prokuroria ka kërkuar dënimin e Ismailajt me 15 vite burgim për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.

Top Channel