Është dashur 1 muaj që Milani të kthehej tek fitorja, duke rikthyer kështu qetësinë në kampin kuqezi. Me Bunuccin e pezulluar Montella i besoi sërish rreshtimit 3-4-3, përzgjedhje e cila rezultoi e suksesshme në Verona kundër Chievos, duke i mposhtur këta të fundit me rezultatin 1-4.
Suso hapi siparin e golave në 36-ën, ndërsa në 42-tën ishte Bostjan Cesar që devijon topin për në portën e tij, duke e mbyllur kështu pjesën e parë 0-2 për kuqezinjtë. Dhjetë minuta pas rifillimit të lojës Hakan Calhanoglu shënoi golin e tretë për Milanin. Edhe Chievo guxoi për të gjetur golin dhe në të 61-tën gjeti rrugën e rrjetës me anë të Valter Birsa. Por ndërsa ekipi i dytë i Veronës ishte ende duke festuar për golin e shënuar ndaj kuqezinjve ka ardhur ndëshkimi nga Kaliniç, duke shënuar edhe shifrat 1-4 që do të qëndronin të pandryshuara deri në fund.
Napoli nuk e ka rrezikuar kreun e Seria A, duke vijuar ta mbajë pas 10 javësh të luajtura me 28 pikë. Dries Mertens ishte lojtari kyç në transfertën ndaj Xhenovas, duke përmbysur rezultatin në 26 minuta.
Të parët që kaluan në avantazh ishin vendasit me anë të Adel Taarabt që në minutën e 4-t, por Dries Mertens ka barazuar shifrat 10 minuta më pas dhe në 30-tën kaloi në avantazh miqtë. Një autogol i Zukanovic solli qetësinë tek napolitanët në të 60-tën. Ishte Armando Izzo që në minutën e 74-ët ngushtoi diferencat në 2-3, koha e mbetur nuk solli asnjë ndryshim për asnjë nga ekipet.
Top Channel