Krijohen rezervat, Veliaj: Të përgatitur për emergjencat

25/10/2017 14:11

Tirana është e përgatitur për rastet e emergjencave civile, teksa bashkia ka ngritur Magazinën e Emergjencave të qytetit, ku përfshihen ushqime e veshmbathje.

“Tirana është gjithmonë një hap përpara; po mendojmë për ditët e ftohta dhe me shi, kur mund të kemi emergjenca civile. Këto janë të pashmangshme dhe pavarësisht histerisë, as kryetari i Bashkisë, as Kryeministri apo kushdo tjetër nuk mundet ta ndalojë shiun apo të rregullojë infrastrukturën e keqndërtuar ndër vite, që janë kryesisht ndërtime pa leje buzë lumenjve apo në hapësira të tjera publike. Por, ajo që mund të bëjmë është që kur të vijë dita e keqe, të na gjejë të përgatitur”, tha kreu i bashkisë Erion Veliaj, duke shtuar se tashmë qyteti mund të përballojë 200-300 raste problematike në raste emergjencash.

Paralelisht me përgatitjet për situatat emergjente që mund të krijohen si pasojë e reshjeve të shiut apo temperaturave të ulëta, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për parandalimin e përmbytjeve në zonat pranë lumenjve. Kreu i Bashkisë nënvizoi se ndërmarrjet janë duke pastruar nga inertet kanalet dhe lumenjtë, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kolektorë.

“Përveç përgatitjes për emergjencat, të gjithë e kanë vënë re se gjatë verës kemi bërë punë në infrastrukturë, duke pastruar lumin e Lanës, kemi hequr qindra ton inerte, kemi pastruar kanalet e ujërave të zeza në pritje të shirave, te Lumi i Tiranës kemi bërë prishjet e fundit për të mbyllur barrierat e për t’u siguruar që në shirat e ardhshëm të mos kemi ujë që futet nëpër lagje. Do të vazhdojmë me prishjet e ndërtimeve pa leje, sidomos mbi kolektorë, për të dhënë edhe një mesazh që tahfmaja e një njeriu nuk mund të kthehet në fatkeqësi për 1 milionë të tjerë”, theksoi Veliaj.

Magazina e Emergjencave të Tiranës do të shërbejë si rezerva e qytetit për të përballuar emergjenca të tjera në të ardhmen, por edhe si një vend ku mund të ruhen donacionet e shumta që ofrojnë shumë qytetarë apo biznese e organizata, të cilat do t’u shpërndahen më pas qytetarëve sipas nevojave.

Top Channel