Një operacion i policisë së Lezhës, i mbështetur edhe nga forcat e repartit special RENEA, vuri në pranga 20-vjeçarin Danjan Ndoka, i cili akuzohet për plagosjen e një aktivisti të LSI-së.
Drejtori i policisë së Lezhës, Bledar Çeliku deklaroi se gjatë arrestimit atij iu gjet një pistoletë me 6 fishekë.
Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur ditën e zgjedhjeve të 25 qershorit në qytetin e Shëngjinit. Ndaj 20-vjeçarit kishte dy masa sigurie me “arrest me burg”, dhënë nga gjykatat në vitet 2014 dhe 2017.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Vjeshtë 2017” janë referuar materialet për pastrim të produkteve të veprës penale në ngarkim të 30 shtetasve. 14 raste i janë referuar Prokurorisë se Krimeve të Rënda në Tiranë për hetim të pasurisë.
Gjykatat kanë vendosur sekuestro preventive edhe për pasuri që shkojnë në 872 mijë euro, të investuara në kafene, godina banimi, tokë pemëtore dhe automjete luksoze.
Top Channel