Infermierët mangësi në praktikë, 40% nuk e kalojnë provimin

25/10/2017 15:02

Ata që kanë mbaruar studimet e larta për infermieri dhe duan ta ushtrojnë si profesion kanë mangësi të theksuara në praktikë, në momentin që përballen me pacientin.

“Rezultate nuk janë të kënaqshme. Një infermier që nuk di të masë tensionin, një infermier që nuk di të bëjë një injeksion …. nuk mund të kalojë dhe fatkeqësisht ka shumë raste të tilla”, thotë Sabri Skënderi, Urdhri i Infermierit.

Më parë se të japë provimin në Agjencinë Kombëtare të Provimeve rreth 800 kandidatë që kanë mbaruar infermieri dhe që kanë bërë dhe tre muaj praktikë janë duke u testuar nga Urdhri i Infermierit për aftësitë e tyre profesionale.

Por në 100 vetë 40 prej tyre nuk e kanë kaluar provimin, përveç përgjegjësisë individuale të secilit. Presidenti i Urdhrit të Infermierit fajëson programet mësimore të shkollave tona.

“Është mangësi e shkollave tona që ndryshe nga shkolla të tjera në Europë që mbështeten në njohuritë profesionale, i kanë dhënë drejtim shkencor”, tha Skënderi.
Për Skënderin ndryshimi ndërmjet atyre që kanë studiuar në shkollat publike dhe atyre private është i vogël. Por ai thekson se kurrikulat mësimore duhen njehsuar me ato të shkollave në vendet europiane.

Top Channel