Gjykata dënon Ismailajn, 11 vjet burg ish-administratorit të DIA-s

25/10/2017 17:29

Pas më shumë se dy vitesh gjykim, ish-administratori i DIA-s Kastriot Ismailaj është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 11 vite burgim për akuzat e “mashtrimit me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Përveç dënimit me burgim, kryesuesja e trupit gjykues, Vjollca Spahiu ka vendosur edhe konfiskimin në favor të shtetit të rreth 4 milionë dollarëve, 451 mijë eurove dhe 12 milionë lekëve të reja, të cilat i janë sekuestruar Ismailajt në banka të ndryshme gjatë fazës së hetimit.

Vendimi për Ismailajn është marrë pasditen e së mërkurës, në orën 17:20, pas një seance maratonë ku vetë i pandehuri, për më shumë se 2 orë, është përpjekur të bindë gjykatën për pafajësinë e tij.

Por përfundimisht gjykata e gjeti fajtor Ismailajn për përfitimin në mënyrë të paligjshme të rreth 5 milionë eurove, nga “CEZ Shpërndarje”.

Gjykata pranoi hetimet e proklurorisë, sipas të cilave Ismailaj nëpërmjet mashtrimeve, dokumentave fiktive dhe falsifikimeve kishte përvetësuar 5 milionë euro gjatë aktivitetit për mbledhjen e borxheve të faturave të papaguara të energjisë që konsumatorë të ndryshëm i kishin CEZ-it.

Vendimi i gjykates ishte më i lehtë në masën e dënimit sesa kërkesa e prokurorisë, e cila kërkoi që Ismailaj të dënohej me 15 vite burgim.

Në lidhje me këtë aferë mes CEZ dhe DIA-s, Gjykata e Tiranës është duke gjykuar edhe dy ish-drejtuesit kryesorë të CEZ-it, çeket Josef Hejsek dhe Jan Ivan, të konsideruar si bashkëpunëtorë në këtë super mashtrim.

Ndërkohë, disa jave më parë Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës i njohu OSHEE-së të drejtën e dëmshpërblimit në shumën e rreth 9 milionë eurove nga Kastriot Ismailaj, për dëmin që i ka sjellë kësaj kompanie në mbledhjen e faturave të papaguara të energjisë.

Top Channel