Mijëra shoferë taksie në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota, kanë bllokuar rrugët dhe janë përleshur me policinë në shenjë proteste ndaj hyrjes së shërbimit amerikan të transportit, Uber.
Taksi të verdha u vendosën në rrugët e qytetit, me shoferët e tyre që kundërshtuan atë që e cilësojnë një shërbim që gëzon një avantazh të padrejtë kundrejt tyre.
Protestuesit bënë thirrje për rregulla më të rrepta për kontrollin e kompanive teknologjike si Uber dhe Cabify, të cilat nuk janë të detyruara të paguajnë sigurime.
Greva shkaktoi kaos në transport, duke krijuar radhë të gjata në trafik, për shkak se shoferët bllokuan kryqëzimet kryesore të kryeqytetit dhe filluan të sulmonin ata që nuk i bashkoheshin nismës së tyre.
Nga ana tjetër, policia përdori gaz lotësjellës për shpërndarjen e turmës. “Ne duam që qeveria të ndalojë Uber, Cabify dhe çdo aplikacion tjetër që kërkon të hyjë këtu”, tha një prej taksistëve protestues.
Nga ana e saj, qeveria kolumbiane ka deklaruar se nuk është në gjendje t’i ndalojë start-up-e si Uber dhe Cabify që të veprojnë në qytet.
Protesta vjen pasi një vendim i qeverisë kolumbiane detyron shoferët të zëvendësojnë taksimetrin me një program elektronik me GPS, që mund të përdoret për të llogaritur dhe mbledhur tarifat.
Shoferët argumentojnë se teknologjia është e shtrenjtë dhe i bën ata të cënueshëm ndaj vjedhjeve. Mbi 50 mijë taksi të regjistruara veprojnë në Bogota, qytet me 8 milionë banorë.
Top Channel