Të rrezikuar nga lodrat

24/10/2017 19:59

“Fakti që ju keni hasur në treg produkte edhe me markim CE edhe me markim Made in China, do të thotë që institucionet shtetërore që kanë kompetenca në fushën e kontrollit të lodrave dhe sigurisë së tyre, nuk veprojnë siç duhet. Por, kjo është një gjë që mund të realizohet, po falsifikohen produktet”.

Kështu është shprehur Ersida Teliti, drejtoreshë e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar.

Markimi CE nënkupton që lodra është në përputhje me standardet europiane për një siguri sa më të lartë.

“Nuk ka asnjë rast ku të kemi një ankesë nga një prind në lidhje me lodrat dhe sigurinë e tyre. Mund t’i drejtohet institucioneve shtetërore, sikurse është Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve, Inspektoratit për Mbikqyrjen e Tregut, Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial dhe së fundmi gjykatës”, deklaroi Teliti.

Por, disa prindër, edhe pse nuk ankohen, kanë zgjedhur mënyra të tjera. Brikena Xhixha, mjeke fizioterapiste/estetiste thotë: “Ishte shumë e apasionuar pas lodrave, dhomën e saj ne e kishim të mbushur plot me arushë, me kukulla, me gjëra të tilla. Dhe ajo kryesisht kur hynte në dhomë e kishte këtë problem, tështinte shpesh, ishte më e bllokuar gjatë natës. Dhe në fund të kësaj na doli që ne duhet ta boshatisnim dhomën nga këto elementë sepse na ndikonin jashtë mase. Domethënë ajo e di kufirin se sa duhet të luajë me këto lodra”.

Strategjia për mbrojtjen e konsumatorit dhe mbikqyrjen e tregut 2015-2020 parashikon një nga detyrimet kryesore të të gjithë institucioneve shtetërore edukimin veçanërisht të të miturve në lidhje me sigurinë e lodrave.

Top Channel