Katania: Asnjë hetim për Tahirin. Deputeti tregon letrën e italianëve

24/10/2017 12:34

Ndaj ish-ministrit Tahiri, Prokuroria e Katanias nuk ka patur procedim penal. Sajmir Tahiri nuk fshehu indinjatën e tij ndaj atyre që i akuzoi se po i hedhin baltë, kur publikoi shkresën zyrtare të prokurorisë italiane që konfirmonte se deri më datën 23 tetor 2017, ai nuk konsiderohej person në hetim prej tyre.

Duke u shprehur i gatshëm për të gjetur të vërtetën e këtyre akuzave dhe për t’u përballur me drejtësinë, Tahiri ka paraqitur para gazetarëve një dokument të Prokurorisë së Katanias, që sipas tij e shfajëson atë.

“Unë sot jam qytetar i thjeshtë dhe brenda 48 orëve sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias që thotë: ‘sa i përket shtetasit Saimir Bashkim Tahiri nuk rezulton sot dhe më herët të ketë pasur procedim penal’. Pra, kur Prokuroria e Katanias, që ka hetuar për 4 vjet këtë grup kriminal dhe nuk ka gjetur asnjë lidhje për të nisur një procedim penal ndaj meje, si ka mundësi që prokuroria jonë brenda 48 orëve me letra të bëra publike nëpër media kërkon arrestimin tim?”, ka thënë Tahiri.

Deputeti socialist ka hedhur poshtë edhe mundësinë që ai të jetë “Saimiri” i përmendur në përgjimet e trafikantëve.

“Kaq të vështirë e kishte prokuroria jonë të kërkonte këtë dokument? Kaq të vështirë e kishte të kuptonte që ai Saimir që përmendej në përgjime nuk isha unë? Nuk mund të isha njëkohësisht edhe shefi, edhe shoferi i kamionit, edhe hamalli”, ka vijuar Tahiri.

Tahiri i ka quajtur të rreme edhe pretendimet e organit të akuzës sa i takon përdorimit të automjetit të tij.

“Nuk e dinte prokuroria që unë kisha kërkuar hetim për makinën time në 2015-n? E si ka mundësi që ka hetuar për gati një vit për këtë çështje? Sot i kam kërkuar përmes avokatit tim Prokurorisë së Krimeve të Rënda të zhvillojë intensivisht hetimin ndaj meje. Unë dua të vërtetën, nuk dua mbrojtje nga askujt dhe jam gati të përballem kudo”, ka shtuar Tahiri.

Ish-ministri ka dhënë përgjigje edhe sa i takon debateve për çmimin e syzeve të tij. “Asgjë në pasurinë time nuk kushton aq sa thotë Sali Berisha. Kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe më duket shumë banale për ta vazhduar si bisedë”, ka thënë Tahiri.

FOTO GALERI
1/3
Kerkesa e Saimir Tahirit, per prokurorine e Krimeve te Renda

Top Channel