“Tahiri”, Gjata: Politika të linte drejtësinë të shprehej. Vasjari: Prokuroria u nxitua

24/10/2017 21:35

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri doli në një deklaratë jo thjesht për shtyp. Ai paraqiti një dokument, sipas të cilit, Prokuroria e Katanias nuk e konsideronte si person në hetim apo procedim penal, të paktën deri më datë 23 tetor.

Kjo deklaratë e Tahirit u pasua nga disa deklarime të tjera me sfond të fuqishëm politik. Një ditë përpara se Kuvendi i Shqipërisë të nisë një seancë, e cila mund të zgjasë një, dy apo tre orë ku do të diskutohen dy raporte veçmas, një i Partisë Demokratike që kërkon arrestimin e tij, dhe një tjetër i Partisë Socialiste që kërkon gjithçka tjetër përveçse lejimin e heqjes së lirisë për ish deputetin e grupit të saj parlamentar.

Për të diskutuar mbi këtë çështje ishin të ftuar në “Top Story”, Arjan Vasjari, Alfred Lela, Çlirim Gjata dhe Agron Gjekmarkaj.

Çlirim Gjata u shpreh se ishte një gabim shumë i madh që kjo çështje u zgjidh politikisht. Sipas tij, politika duhet të linte drejtësinë të shprehej.

“Metoda që u ndoq që nuk mundet që komisioni i imuniteteve të shqyrtojë provat. Gjykata rrezik del jashtë loje. Gabimi i dytë në këtë çështje është se u zgjidhje politike, qoftë edhe nga deklarata e zotit Rama. Iu dha mbrojtje dhe zgjidhje politike. Do të ishte më e ndershme që të ishte krijuar një raport mes politikës dhe drejtësisë. Duhej lënë Gjykatës që të vendoste dhe unë mendoj se nuk ka prova dhe nuk do ta kishte arrestuar dhe Tahiri do të kishte dalë shumë herë më i fortë nga kjo çështje. Këtë precedent që krijoi politika jona, përballë institucioneve të reja të pavarura është vënë kufiri që këtu mua mos më prek. Është vendosur “kufiri të thana”. Prokuroria ka mundësi ta hetojë në gjendje të lirë dhe duke shkuar në gjykatë që zotit Tahiri t’i jepej një masë kufizuese lirie, çfarë do të ndryshonte. Politika parlamentare i dha të drejtë vetes të shqyrtojë provat pa shkuar në gjykatë. Kjo është precedenti më i keq për të gjitha rastet që do të vijnë më pas”, tha Gjata.

Agron Gjekmarkaj thotë se priste një reflektim nga Tahiri, ndërsa thotë se ish-ministri i Brendshëm u shndërrua nga hero në sulmues.

“Kryeministri e ka ndryshuar qëndrimin e tij nga dita e parë deri sot, duke futur element të deklasifikimit krahinor, kjo më duket një gjë e shëmtuar. Prokurorët ranë në një grackë të politikës. Ata njerëz janë në një trysni. Pasi politika të hedh në rrugë dhe të lë pa mbrojtje. Pati një shpërthim ndaj tyre sikur i gjithë faji qëndronte tek ata dhe jo tek dosja e ardhur nga Italia. Saimir Tahiri ka një parahistori prej 4 vitesh. Nga një viktimë, ai u shndërrua në një hero sulmues. Prisja një reflektim për atë avion të rrëzuar me drogë, për ato tonelata droge të kapura. Me gjasa ka marrë një siguri nga Partia Socialiste”, thotë Gjekmarkaj.

Ndërkohë, duke iu referuar deklaratës së zotit Tahiri u shpreh se ish-ministri i Brendshëm, ka vepruar siç është bërë nga politikanët në kaq vite demokraci dhe sipas tij duhet të kishte dorëzuar imunitetin.

“Të kishte dorëzuar imuniteditn dhe këtu do të kishte qenë ai Saimir Tahiri i Rilindjes, ai ka lexuar një tekst të vjetër që e kemi dëgjuar prej 20 e ca vitesh. Teksti nuk ka ndryshuar, por kanë ndryshuar aktorët. Këta sapo i vunë SPAK-ut një spango që ka korrent. Tashmë, ai nuk e kalon dot këtë pengesë”, tha Alfred Lela.

Për Arjan Vasjarin, Prokuroria është nxituar në çështjen “Tahiri”. Sipas tij, nëse do të kishte Prokuroria e Katanias do të kishte prova do ta merrte nën hetim Saimir Tahirin.

Kam disa rezerva me trajtimit që Prokuroria i ka bërë kësaj çështje. Ajo u nxitua, pasi masa e arrestimit me burg është një masë atipike në këtë rast. Është mekanizmi i fundit. Ka shtatë masa shtrënguese Kodi Penal, kjo është masë ekstreme. Nëse ne pranojmë, me të drejtë, ky është një proces i nisur nga Prokuroria e Katanias. Nëse kjo Prokurori do të ishte e bindur që të kishte prova, nuk kishte asnjë pengesë për ta marrë nën hetim zotin Tahiri”, tha Vasjari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA