20 ditë burg njeriut të Habilajve, “topi” i kalon Prokurorisë

24/10/2017 13:45

Prokuroria shqiptare duket se është vënë në garë me kohën për të vërtetuar akuzat, ose për të ekstraduar në Itali një ndër të dyshuarit si anëtar kryesor i grupit të Habilajve, Nezar Seitin, i akuzuar nga autoritetet italiane si financieri i organizatës kriminale.

Paraditen e së martës, Gjykata e Tiranës caktoi një tjetër masë sigurie ndaj Seitit, me 20 ditë burg, kohë gjatë së cilës Prokuroria duhet të sjellë dosjen e Seitit nga Italia me qëllim ekstradimin e tij.

Në seancën e së martes, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, Prokuroria paraqitit në gjykatë vetëm urdhrin e arresttit të lëshuar nga Gjykata e Katanias për Seitin.

Nderkohë, gjykata vendosi të lërë afatin minimal prej 20 ditësh, nga 40 ditë që është maksimali, në dispozicion të Prokurorisë për të sjellë gjithë dokumentacionin e nevojshëm që do të mundësonte ekstradimin e tij drejt Italisë.

Në fakt, pro ekstradimit dhe procedimit në Itali është edhe avokati i Seitit.

“Gjykata vendosi 20 ditë kohë dhe ne jemi shprehur dakort për procedimin e klientit në Itali”, deklaroi avokati.

Ndërkohë, të dielën e kaluar Gjykata e Krimeve të Rënda i la gjithashtu 20 ditë kohë Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të sillte prova ndaj Nezar Seitit, kësaj radhe jo për ekstradimin e tij, por për procedimin që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar ndaj tij më 17 tetor në të njëjtën kohë kur ka regjistruar edhe emrin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Në përgjimet e Prokurorise së Katanias, Nezar Seiti listohej si anëtari i grupit Habilaj që kujdesej për infrastrukturën e trafikut të hashashit drejt Siçilisë.

Top Channel