Mbyllja e thertoreve, Tregëtarët në protestë. Peleshi: S’plotësojnë standardet

24/10/2017 19:50

Tregtarë të mishit në disa qytete të vendit kanë protestuar kundër aksionit të Ministrisë së Bujqësisë për mbylljen e pikave thertoreve dhe dyqaneve të mishit që nuk plotësojnë standardet.

Disa ankohen se po falimentojnë dhe po u ndërpriten të ardhurat e vetme me të cilat mbajnë familjet.

“Qeraja paguhet, tatimet paguhen, sigurimet paguhen, humbje është. Të shesësh 3 kg mish gici ne ditë…”, shprehet një tregtar.

“Janë mbyllur thertoret të gjitha. Kanë lënë një thertore thonë, një në Lushnjë dhe një në Korçe. Problemi është se ne ngelemi pa punë, kemi taksa, kemi qera, s’kemi ku t’i gjejmë”, shprehet një tjetër.
Në Pogradec, tregtaret thonë se nga mungesa e mishit që vjen nga thertoret, qytetarët kanë mbetur pa u furnizuar me produktet e mishit.

“Të vijë viçi nga Mokra dhe të shkojë në Korçë për t’u therur e pastaj të shitet këtu në Pogradec, kjo ka një kosto shumë të madhe”, shprehet një tregtar.

Vetëm gjatë ditëve të fundit, në të gjithë vendin, janë mbyllur 76 pika therjeje, 8 thertore, 107 dyqane mishi dhe janë sekuestruar rreth 3 ton mish. Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, nga Elbasani, tha se subjektet e mbyllura nuk do të hapen më.

“Pikat e therjes që janë mbyllur, si të pashpresa se mund të arrijnë ndonjëherë standardet, sepse janë vite dritë larg standardeve ligjore nuk do të hapen më. Askush nuk duhet të guxojë t’i hapë ato natën, larg syrit të inspektorëve apo të shtetit. Që të arrijmë të drejtën e eksportit të produkteve shtazore, drejt BE-së duhet të plotësojmë kërkesat, pra të ngremë sistemin e sigurisë ushqimore”, tha Niko Peleshi.

Top Channel