Ceremonia e organizuar nga FIFA për të zgjedhur futbollistin më të mirë të vitit kurorëzoi, në përputhje me parashikimet, portugezin Cristiano Ronaldo.
Mbrëmja në teatrin “Palladium” të Londrës mblodhi shumë personalitete, që zgjodhën mes të tjerëve edhe trajnerin më të mirë, golin më të bukur dhe ekipin e vitit. Por, si votuan shqiptarët?
Kapiteni i kombëtares kuqezi, Ansi Agolli ka vlerësuar me pikët maksimale Cristiano Ronaldon. Plot 5 pikë erdhën nga mesfushori i Karabakut për lojtarin portugez, që vlerësoi gjithashtu Lionel Messin me 3 pikë dhe portierin Buffon me 1 pikë.
Por këto nuk ishin vlerësimet e vetme nga Shqipëria. Trajneri Christian Panucci ka vlerësuar me 5 pikë portugezin Ronaldo, që doli më pas fitues. Në hierarkinë e preferencave të teknikut kuqezi ishin gjithashtu në radhë Lionel Messi dhe braziliani Neymar.
Ansi Agolli dhe Christian Panucci u duk sikur ishin marrë vesh më parë, edhe në diskutimin për trajnerin më të mirë. Simpatia për Zinedine Zidane kulmoi me 10 pikët e Kombëtares shqiptare për francezin, që doli edhe fitues i çmimit “FIFA the best”.
E vetmja diferencë te trajnerët, mes tyre, ishte vendi i tretë. Agolli preferoi timonierin e Tottenhamit, Mauricio Pochettino, ndërsa Panucci dha pikë për argjentinasin tjetër, Diego Simeone.
Top Channel