Alibeaj: Alibia e Tahirit nuk vlen. Po shantazhon Ramën

24/10/2017 13:40

Partia Demokratike e cilësoi të pavlerë letrën e paraqitur nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Letra që nxorri sot Saimir Tahiri mund të tundet për militantët e oborrit, por për askënd tjetër”, tha deputeti Alibeaj.

Sipas opozitës, Prokuroria e Katanias po procedon anëtarët e bandës që kanë kryer aktivitet kriminal në Itali dhe nuk e ka për detyrë të procedojë Tahirin në Tiranë, që siç thonë demokratët, ka mbështetur dhe i ka hapur rrugën bandës në trafikun e drogës. Për opozitën kjo është detyrë e prokurorisë shqiptare.

“Pikërisht, këtë detyrë të prokurorisë dhe drejtësisë shqiptare, Edi Rama dhe Saimir Tahiri po e pengojnë, duke mos pranuar kërkesën e saj”, shtoi Alibeaj.

Në analizën e opozitës me mbrojtjen e Tahirit nga 1800 faqe prova dhe dëshmi të antimafias italiane, Edi Rama po tregon dy standarde.

“Çdo qytetar shqiptar do të ishte në burg me këto prova, por Saimir Tahiri jo, sepse ka imunitet dhe sepse e mbron Edi Rama. Arsyet pse e mbron Edi Rama, tashmë janë të qarta për këdo; sepse është i kapur, sepse Tahiri nuk do të rrinte duarkryq, por siç ia ka bërë të ditur, do të nxirrte provat dhe materialet që ka për përfshirjen direkt të Edi Ramës, të familjarëve të tij, të ministrave të tij, në afera të rënda kriminale”, vijoi Alibeaj.

Partia Demokratike dënoi atë që e quan sulm të Ramës kundër drejtësisë dhe pengim të saj me zgjatjen e marrjes së vendimit në Parlament.

“Parlamenti shqiptar nesër ka provën, nëse do të zgjedhë drejtësinë dhe barazinë para ligjit, apo do të zyrtarizojë dy standartet e Ramës, e do të marrë në mbrojtje krimin. Partia Demokratike dhe opozita qëndrojnë në anën e drejtësisë dhe barazisë para ligjit”, deklaron opozita.

Top Channel