Tirana tradicionale dhe moderne do të jetë pjesë e një prej panaireve më të mëdha në Europë, atë të Brukselit, ku për pesë javë rresht do të ketë pavijonin e saj.
Kreu i bashkisë Erion Veliaj ka postuar në Twitter lajmin me shpresën se numri i turistëve që vizitojnë Tiranën do të jetë edhe më i madh në vijim.
“Jemi gati! Tirana tradicionale & moderne do të përfaqësohet në Panairin e Brukselit këtë fundvit. Kemi boom turistik, por më shumë duhet”, shkruan Veliaj.
Me ftesë të Bashkisë së Brukselit, Bashkia e Tiranës do të jetë pjesë në një nga panairet më të mëdha të dimrit, i quajtur “Winter Wonder ” , që do të mbahet në datat 24 nëntor deri më 31 dhjetor, ku falë vizitorëve të shumtë si edhe reklamimit që i bëhet evenimentit në mediet ndërkombëtare, është një mundësi e mirë për promovimin kulturor, historik, social , ekonomik dhe turistik.
Në këtë aktivitet Shqipëria do të përfaqësohet me një seri aktivitetesh si Konferenca Ndërkombëtare “Tirane – Bruksel , rrugëtimi historik i shqiptarëve”; takimeve dypalëshe midis përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atyre europianë; vendosje të marrëdhënieve bashkëpunuese midis operatorëve turistikë shqiptarë dhe europianë si dhe një seri evenimentesh dhe programesh artistike-kulturore si dhe do të ketë hapësirën e saj në qendër të Brukselit për të promovuar produktet tradicionale shqiptare si; produkte artizanale , produkte tipike të kuzhinës shqiptare dhe produkte të ndryshme turistike etj.
Top Channel