Policia e shtetit i bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes me të dhënat e tyre online, sidomos me llogaritë bankare.
Sipas policisë, kohët e fundit është konstatuar një rritje e numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit. Për këtë po merren të gjitha masat, duke patur parasysh se këto ngjarje kanë si qëllim vjedhjen e fondeve të llogarive bankare nëpërmjet mashtrimit dhe i kërkohet qytetarëve dhe subjekteve private, të bëjnë kujdes për sa i përket ekspozimit të të dhënave të tyre bankare në mjediset e jetës së përditshme por edhe kur marrin kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodhen duke lundruar në internet.
“Në rast se merrni kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme nga ato që i kryeni zakonisht, duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi (telefon, faks etj.) nëse llogaria e re i përket vërtetë partnerit tuaj tregtar. Gjithashtu kujdes duhet të bëhet me dhënien e kodeve të hyrjes për llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë”, njofton Policia e Shtetit.
Top Channel