Një prej personave që mbeti i plagosur pasditen e së dielës në një atentat në Shëngjin është Florian Dushku.
28-vjeçari rezulton të jetë i njëjti person, militant i LSI që u plagos edhe ditën e zgjedhjeve më 25 qershorin e kaluar, pas një incidenti në qendër të qytetit të Lezhës.
Incidenti ditën e zgjedhjeve solli reagimin e fortë të ish-kreut të LSI, Ilir Meta i cili shkoi në Shëngjin.
Të dielën Florian Dushku u plagos teksa po lëvizte në këmbë në trotuar së bashku me 19-vjeçarin Samet Bercaj.
Ata u qëlluan nga një makinë në lëvizje ndërkohë që ndodhen në spital. Për identifikimin dhe kapjen e autorëve në drejtim të Lezhës u nisën edhe forcat speciale ndërkohë që për policinë mbeten të paqarta motivet e ngjarjes.
Nuk dihet nëse plagosja e së dielës ka lidhje me ngjarjen ditën e zgjedhjeve ndërsa policia dyshon se gjatë ngjarjes në Shëngjin ka patur edhe kundërpërgjigje po me zjarr nga ana e të plagosurve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18 e 30 te se dielës dhe fatmirësisht në këtë moment në trotuar nuk pati kalimtar të rastit. Policia po këqyr kamerat e sigurisë së disa bizneseve për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të cilët qëlluan nga automjeti.
Top Channel