Droga drejt Italisë, Dritan Zagani flet për mediat italiane

23/10/2017 17:21

MeridioNews, portali italian që publikoi përgjimet e policisë së Katanias dhe prangosjen e grupit të Habilajve ka intervistuar Dritan Zaganin, ish-oficerin e antidrogës në Shqipëri, që tashmë jeton në ekzil në Zvicër.

Portali thotë që në hyrje se Zagani është arratisur në Zvicër prej kohësh, sepse në Shqipëri u akuzua për abuzim me detyrën dhe i dyshuar se i kalonte informacione hetimore Italisë.

“Që në 2014 dhe 2015 denoncoi i pari ish-ministrin (Saimir Tahiri) për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike, duke zbuluar edhe përdorimin e makinës private të Tahirit nga ana e kushërinjëve të tij, i njëjti mjet i cituar nga Guardia di Finanza e Katanias”, shkruan MeridioNews.

Intervista

Pyetje: Në Shqipëri të gjithë po flasin për dyshimet e përfshirjes së ish-ministrit në trafikun e drogës. Si ndjeheni?

Dritan Zagani: Hetuesit italianë më kanë bërë dhuratën më të bukur në botë, por unë sidoqoftë ndjehem keq. Nuk jam i lumtur për ato që po ndodhin në vendin tim. Jam larguar prej pak vitesh dhe jam nën akuzë, por asnjë seancë nuk është zhvilluar. Jetoj me gruan dhe tre vajzat e mia dhe po përpiqem të rinis jetën këtu në Zvicër. Vendimi për t’u larguar nga Shqipëria e bëra pikërisht për familjen time.

Pyetje: Keni kaluar nga roli i shefit të antidrogës në Fier, në një i burgosur i vendit tend. Si ndodhi?

Dritan Zagani: Në 2014 po hetoja një bandë trafikantësh të lidhur me Habilat. Ishte një grup i fuqishëm që trafikonte kokainë dhe armë. Mora disa informacione, por më pas rashë në burg. Gjatë hetimeve pashë edhe Audin e famshëm dhe më pas zbulova se ishte makina e ministrit të asaj kohe, Saimir Tahiri. Vura re se kjo makinë përdorej për në disa udhëtime të dyshimta, por denoncimet e mia nuk u dëgjuan kurrë.

Pyetje: Ju përfunduat në burg. Sa kohë u dënuat? Ç’lidhje kishit me policinë italiane?

Dritan Zagani: Me burgosën për gjashtë muaj dhe tetë ditë dhe asnjë prokuror nuk vinte që të më dëgjonte. Askush nuk më ka pyetur, thjeshtë më harruan. Gjatë detyrës bashkëpunoja me hetuesit italianë edhe përmes kanaleve të komunikimit informalë, siç ndodh në gjithë botën. Pikërisht kjo më përballi me akuzën sikur shisja informacione. Ishin të gjitha shpifje ndaj meje, pa asnjë provë. Mund të them me siguri që do të luftoj deri në fund për të nxjerrë këta persona përpara drejtësisë.

Pyetje: Në vitet e fundit, a kanë ndryshuar teknikat e përdorura nga trafikantët?

Dritan Zagani: Deri në 2014 kisha shumë informacione për trafik me kamionë, por edhe përmes detit me peshkarexha. Në atë periudhë me transferuan dhe shërbimet sekrete më informonin që droga në disa raste transportohej me avionë të vegjël turistikë. Merrnin përsipër një rrezik të madh për të transportuar 200 deri në 300 kilogram hashash dhe kjo mund të bëhej vetëm mbrojtje nga nivele të larta.

Pyetje: Habilaj gjatë përgjimeve përmend rolin e policisë shqiptare në trafikun e drogës…

Dritan Zagani: Kam denoncuar gjithmonë korrupsionin, por problemi i vërtetë shndërrohet atëherë kur pjesëtarë të forcave të rendit kanë interesa tek trafiku. Edhe politikanët kanë përdorur paratë e krimit, edhe si financim për fushatë. E gjithë bota e di, por u mbyll një sy dhe i dhanë dritën jeshile kultivimit dhe shitjes së hashashit.

Pyetje: A do të ndryshojë kjo situatë?

Dritan Zagani: Do të duhet shumë kohë dhe shumë punë e Europës, përndryshe Shqipëria do të bëhet një fole e kriminalitetit. Mafia është shumë e fortë dhe baza e saj është droga.

Pyetje: Besoni se Parlamenti do të votojë kërkesën e Prokurorisë?

Dritan Zagani: Nuk do të votojë në favor, sepse Tahiri është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë, një hallkë që nuk mund të këputet sepse do të rrëzonte gjithë qeverinë shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA