60 minuta e ndajnë Ergys Kolaverin nga fajësia apo pafajësia për akuzën e vrasjes për gjakmarrje e mbetur në tentativë.
Në seancën e së hënës në gjykatën e Krimeve të Rënda, u transmetuan pamjet e marra nga një kamera sigurie në një rrugë pranë banesës së kryebashkiakut të Kamzës, ku shfaqet Kolaveri në një lokal.
Sipas Kolaverit dhe avokatit të tij Sajmir Visha, këto pamje janë xhiruar në të njëjtën kohë kur ka ndodhur ngjarja në burgun e Vaqarrit, ku u qëllua me armë snajper brenda ambienteve të burgut, ngjarje për të cilën akuzohet Kolaveri.
Por nga ana tjetër prokuroria e Krimeve të rënda, pretendon se pamjet në kamerën e sigurisë janë një orë para ngjarjes. Në lidhje me këtë, avokati i Kolaverit pretendon se pajisjes që regjistron pamjet filmike nuk i është ndryshuar ora, dhe për këtë arsye ora në video shënon një orë mbrapa dhe jo një orë më parë siç ndryshon ora verore.
Pra, janë këto 60 minuta që nëse vërtetohen që nuk janë ndryshuar i japin pafajësinë Ergys Kolaverit, në të kundërt rrezikon dënimin për vrasje për shkak të gjakmarrjes e mbetur në tentativë. Ergys Kolaveri akuzohet se më 30 korrik të vitit 2016, ka qëlluar me një armë snajper brenda ambienteve të burgut të Vaqarrit, me qëllim për të vrarë Gazmir Daci që ndodhej i paraburgosur në atë burg.
Nga ngjarja mbeti i plagosur gabimisht një tjetër i paraburgosur. Gazmir Daci akuzohet se ka vrarë vëllain e Ergys Kolaverit, si dhe ka plagosur rëndë vëllain tjetër dhe për këtë arsye prokuroria beson se Ergysi kishte organizuar vrasjen e Dacit në shenjë gjakmarrjeje.
Top Channel