Tarifa e pastrimit, sipas zonave të Tiranës

22/10/2017 13:40

Tarifën e pastrimit prej pesë mijë lekë në vit, nuk do ta paguajnë në të njëjtën vlerë të gjithe banorët e Tiranës.

Tanime ka një diferencim sipas zonës ku banon. Ata që banojnë në zone B dhe C të kryeqytetit, pra, jashtë unazës së vogel do të paguajnë në mënyrë të diferencuar, më pak se sa kanë paguar deri më tani apo krahasuar me ata që banojnë në zonën A .

“Tarifa e pastrimit përthithet përmes faturës tatimore që vjen përmes UKT. Kemi tre nënzona të ndara, zona A, B dhe C. Respektivisht zona A ka një tarifë prej 5 mijë lekësh në vit, Zona B rreth 2 mijë lekë në vit, dhe zona C rreth 1 mijë lekë në vit. Përsa i përket ndarjes në pozicionin gjeografik kanë ndikuar disa parametra siç ka qënë sasia e ndotjes që krijohet në zona të caktuara si dhe vlerësimi i pasurisë që individët kanë në kuadër të kategorizimit të çmimit të referencës për metër katrot”, thotë Kujtim Nanaj, zv.drejtor i përgjithshëm i tarifave dhe taksave.

Në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak janë miratuar edhe lehtësira të tjera fiskale, që kanë të bëjnë me përjashtimin nga tarifa e përkohshme e infrastrukturës arsimore, 1800 lekë në vit , të të gjithë fermerëve që tregtojnë produktet e veta bujqësore dhe blegtorale  të shoqëruar me dokument origjine dhe që nuk e kanë aktivitet biznesi.

Ata njëkohësisht janë të përjashtuar edhe nga tarifa e pastrimit. Po kështu, nga këto dy lehtësi fiskale përftiojnë edhe të gjithë administratorët e pallateve të cilët janë të pajisur me nipt.

Top Channel