Balla: Basha e Kryemadhi të përmbahen. PS, çdo gjë për drejtësinë

22/10/2017 14:12

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar ndaj deklaratave të deputetëve të opozitës në Këshillin e Mandateve, duke deklaruar se faza përfundimtare e mbledhjes së tij ka qenë gjithmonë me dyer të mbyllura.

Në një deklaratë për mediat, Balla ka përmendur edhe një sërë precedentësh, që sipas tij faktojnë ndjekjen e kësaj procedure.

“Në 20 e 6 vjet, në të gjitha rastet kjo pjesë ka qenë e mbyllur dhe rastet më tipike të këtyre mbledhjeve janë: vendimi për deputetin Lulzim Basha, për deputetin Fatmir Mediu, për deputetin Nikollaq Neranxi, për deputetin Dritan Prifti, për deputetin Ilir Meta, etj”, ka deklaruar Balla.

Balla ka theksuar se anëtarët e Këshillit të Mandateve duhen lënë të qetë të dalin në përfundimin e tyre dhe më pas, sipas procedurave, do të veprojë Kuvendi.

“I kërkoj Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit t’i lënë anëtarët e këshillit të bëjnë punën e tyre. Ne do t’i krijojmë drejtësisë të gjitha kushtet që ky hetim të shkojë deri në fund”, ka shtuar Balla.

Top Channel