“Tahiri”, PD: Po fshihet e vërteta. LSI mbështet kërkesën e Prokurorisë

21/10/2017 13:49

Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet deklaruan se mazhoranca po u fsheh të vërtetën shqiptarëve në rastin e Saimir Tahirit.

Enkelejd Alibeaj doli para mediave ku kërkoi zhvillimin e mbledhjes së Këshillit me dyer të hapura për median.

“Edhe pse prokuroria nuk kërkoi me dyer të mbyllura, kryetari nuk lejon që mbledhja të bëhet e hapur. Ajo që po ndodh tani është që mazhoranca dhe Edi Rama duan që të lënë në errësirë shqiptarët për të kuptuar të vërtetën. Xhindet kanë dalë nga shishja dhe nuk futen më në të. Kjo është ajo që duan t’u fshehin shqiptarëve, të vërtetën e përfshirjes jo vetëm të ish-ministrit të Brendshëm dhe jo vetëm aq”, tha Alibeaj.

Vota e parë pro heqjes së imunitetit të Saimir Tahirit mbërriti nga LSI.

“Unë dua të deklaroj se jam pro dhënies së autorizimit për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit. Ky është standard moral i LSI-së dhe i deputetëve të LSI-së”, deklaroi anëtari i LSI-së në Këshill, Nasip Naço.

Top Channel