Xhafaj mbron Tahirin: Segmente të prokurorisë po përdoren politikisht

20/10/2017 10:28

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj akuzoi Prokurorinë se po përdoret politikisht. Ai tha se nga sa e ka parë nga pikëpamja ligjore deri tani, kjo që po ndodh me ish-ministrin Saimir Tahiri është një precedent i rrezikshëm për drejësinë dhe jetën parlamentare.

Kur u pyet nëse ka zyrtarë të policisë në hetim për dosjen “Tahiri”, Xhafaj tha: “Kur më pyetët për këtë çështje ju thashë që është çështje e iniciuar nga drejtësia italiane dhe po shqyrtohet nga ajo. Gjithë të tjerët që flasin sot nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë kontribut në këtë çështje. Me sa shoh, thjesht po duan ta përdorin”.

Më tej, ministri i Brendshëm shtoi: “Ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar, nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe zbatueshmërinë në prova. Që do të thotë, sipas meje, që jemi në rastin kur segmente apo individë të Prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një situatë të nxehtë politike. Flas për aq sa kam lexuar nga ato që janë bërë publike. Nëse Prokuroria ka prova të tjera, të presim”.

Top Channel