Xhafaj mbron Tahirin; Llalla i përgjigjet Xhafajt

20/10/2017 14:19

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj drejtoi gishtin ndaj organit të akuzës me akuzën e përdorimit politik për dosjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që sipas tij hap  precedentin e rrezikshëm të drejtësisë në jetën parlamentare.

“Ajo që është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda dhe për aq sa unë kam lexuar nuk është një gjë që shpreh vullnetin e ligjit dhe besueshmërinë në prova, që do të thotë se, sipas meje, jemi në rastin kur segmente apo individë të prokurorisë po vetëpërdoren politikisht në një çështje apo situatë të nxehtë politike. Nëse prokuroria ka prova dhe çështje të tjera le të presim dhe le t’i shikojmë. Precedentë të tillë janë precedentë të rrezikshëm për drejtësinë, por edhe vetë marrëdhëniet parlamentare për aq sa unë kam lexuar dhe aq sa janë bërë publike. Edhe rasti i çështjes Habilaj për të cilin flitet ka disa vite që trajtohet kjo çështje ka dy referime nga policia në Prokurori dhe ka pak, apo aspak veprime nga prokuroria në këtë çështje të referuar nga policia”, thotë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Por i menjëhershëm ka qene reagimi i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla që i kujtoi ministrit të Brendshëm se kriminaliteti është shtrirë në të gjithë vendin.

“Ish-kryetari i Reformës në Drejtësi dhe ministri i Brendshëm, nëse nuk është i qartë për ndryshimet ligjore që kanë ndodhur, është problem i tij. Prokuroria po ndjek me vëmendje hetimin e të gjitha rasteve të kriminalitetit në vend. Situata është e tensionuar dhe kriminaliteti është i përhapur në të gjithë vendin. Do të veçoja Vlorën, Lushnjen dhe Elbasanin. Detyra jonë është që të hetojmë këto raste dhe të vëmë përpara përgjegjësisë autorët e këtyre raste”, deklaroi Llalla.

Ndërkohë, Presidenti Ilir Meta iu shmang komenteve për dosjen Tahiri.

Top Channel