Meta-gjykatës: Mbroni Kushtetutën

20/10/2017 09:46

Duke nënvizuar se Gjykata Kushtetuese ka përballuar me vendime sfida që kanë shmangur tensione sociale dhe politike, presidenti Ilir Meta iu kërkoi gjyqtarëve që gjatë zbatimit të reformës në drejtësi të jenë vigjilentë për të ruajtur Kushtetutën.

“Prandaj edhe realizimi i misionit nga Gjykata Kushtetuese është i nevojshëm në këto momente pikërisht kur gjyqësori po kalon në fazën reformuese dhe për këtë shkak vigjilenca për parimet kushtetuese mund të zbehet”, deklaroi Meta.

Nga ana tjetër, duke uruar Kushtetuesen për përvjetorin e 25-të të saj, kryeministri Edi Rama uroi gjithashtu çdo gjyqtar që do të përshkojë rrugën e gjatë e të mundimshme, siç e quajti ai, të reformës në drejtësi.

“Nëse ka një institucion ku sot mund të hyhet pa patur turp, ai institucion është Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë ka qenë e detyruar që për një kohë të shkurtër të merrej me vendime shumë të rëndësishme. Ky organ është përpjekur të jetë i paanshëm në gjykimet e dhëna. Nuk ndodh shpesh në jetën e një institucioni që të fitojë simpati e mbështetje popullore, siç ndodhi me këtë gjykatë pas vendimit historik për çështjen e kufirit detar”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se “drejtësia është një fjalë që të gjithë e përdorim me vend e pavend, por në veshët e gjithë shqiptarëve është një fjalë pa kuptim”, por theksoi se është i bindur për faktin se “Shqipëria do t’ia dalë mbanë” në rrugën për ta fituar drejtësinë.

Top Channel