Basha: Rama bleu edhe 24 orë për Tahirin. Apel qytetarëve të bashkohen

20/10/2017 17:39

Duke reaguar ndaj vendimit të Këshillit të Mandateve për ish-ministrin Tahiri, kryetari i PD Lulzim Basha është shprehur se, shqiptarët sapo e panë se si Edi Rama ka urdhëruar mbrojtjen e Tahirit, i kapur nga Antimafia si mbrojtës i trafikut të drogës.

“Përgjimet tregojnë qartë se Tahiri merrte shuma të mëdha parash për mbrojtjen që i ofronte kësaj bande dhe vënies në dispozicion të porteve, radarëve, etj”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, këto prova dhe të tjera, të administruara nga italianët, i janë paraqitur Këshillit të Imuniteteve dhe Mandateve për heqjen e një privilegji, që nuk jepet për të mbrojtur trafikantët por për t’i dhënë liri deputetit për të drejtën e mendimit.

“Mbrojtja që Rama i ofroi Tahirit është më e madhe sesa prirja e tij për të bërë drejtësi. Me Ramën nuk bëhet drejtësi. Provat administrohen nga gjykata, ndaj Rama gërmon me të kotë dhe gënjen shqiptarët kur thotë ka apo nuk ka prova. Përgjimet e publikuara tregojnë se Këshilli nuk ka rrugë tjetër veç të heqë mandatin e Tahirit”, ka vijuar Basha.

Ai ka theksuar se, me vendimin e sotëm Tahirit iu dhanë edhe 24 orë për të prerë fijet që e lidhin me Ramën dhe të tjerë zyrtarë të qeverisë “Rama 2”, të përfshirë sipas tij në përgjime.

Gjithashtu, “do dërgohen emisarë për të blerë të vërtetën. Rama tregoi se narkoshteti nuk mund të jetë shteti i së drejtës. Me Ramën nuk ka drejtësi”, ka vijuar Basha.

Në këto kushte, ai ka ftuar qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen opozitës për të marrë në dorë fatet e vendit. “Ndaj për çdo shqiptar është ora e vetëdijes. Ftoj qytetarët të bashkohen me opozitën, të marrim në dorë fatet tona. Vendin nuk mund ta lëmë në dorë të kupolës mafioze”, ka shtuar Basha.

Top Channel