Akuzat e prokurorëve: Hetimi nisi nga media. Zagani jo në dosje

20/10/2017 11:48

Gjatë më shumë se tre orëve pyetje-përgjigje në Këshillin e Mandave dhe Imunitetit të Kuvendit, drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka paraqitur argumentat që sipas tij kanë nxitur organin e akuzës që të kërkojë arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri.

“Kemi regjistruar një procedim penal të datës 17.10.2017, i cili mban numër 313, gjithmonë duke iu referuar të dhënave të bëra publike dhe më pas kemi bërë edhe në rrugë zyrtare gjithë materialin, që në një pjesë ka dalë publikisht”, deklaroi Hajdarmataj.

Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka renditur edhe faktet kryesore që sipas tij kanë ngritur dyshime të implikimit të Tahirit në organizatën kriminale të Habilajve.

“Na rezulton që në një moment të caktuar, ndërkohë që deputeti ndodhej në Greqi, automjeti është dërguar nga njëri prej vëllezërve Habilaj në Greqi dhe pastaj në kthim ka udhëtuar me këtë automjet deputeti Saimir Tahiri. Që nga viti 2013 e deri në muajin prill të vitit 2017, kur realisht kishim një ministër tjetër të brendshëm, asnjëherë nga Policia e Shtetit nuk referuar një material në Prokurorinë për Krime të Rënda për aktivitetin kriminal të këtyre personave”, tha Hajdarmataj.

Për momentin, dëshmia e ish-oficerit të policise Dritan Zagani, që denoncoi i pari dyshimet se Habilajt, kushërinjtë e Tahirit, kryenin trafik droge, nuk është përfshirë në materialin që prokuroria ka paraqitur.

“A përfshihet Dritan Zagani në këtë hetim?”, shtroi pyetjen deputeti i LSI-së, Nasip Naço. “Në kuadër të veprimeve deri në këto momente nuk është përfshirë deklarata e Zaganit”, u përgjigj një prokurore.

Ndërsa vetë Saimir Tahiri ka këkruar të marrë disa përgjigje për faktet që paraqiti prokuroria, përgjigje të cilat nuk u dhanë nga prokurorët që mbronin kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit.

“Fakti që prokuroria italiane në 4 vjet hetime nuk ka regjistruar procedim penal ndaj meje tregon që ju jeni shumë më të aftë se ata, përsa kohë dy ditë pas asaj që u bë publike doni të më arrestoni?”, tha Tahiri duke iu drejtuar prokurorëve.

“Nuk përgjigjemi. Ne këtu vijmë me aftësinë tonë, ne i kemi sqaruar. Parashtrimin tonë fillestar e sqarova. Sqarova dhe çfarë të dhënash kemi mbledhur nga ana jonë dhe çfarë ka sjellë drejtësia italiane”, u përgjigj Hajdarmataj.

“Ne shtuam pretendimet duke bërë një kërkesë, duke vënë në dispozicion edhe provat. Prokuroria parashtron pretendimet dhe personi në hetim dhe mbrojtja e tij parashtron të vetat”, tha prokurorja tjetër.

Top Channel