Agjenti: Mbappe donte të shkonte te Barça

20/10/2017 22:24

Agjenti i talentit francez Kylian Mbappe ka zbuluar dëshirën e tij për t’iu bashkuar Barcelonës, nëse do të linte Monakon gjatë merkatos së verës. Josep Maria Minguella shtoi gjithashtu se ai është përpjekur të ndërmjetësojë transferimin që mund të kushtonte deri në 150 mln euro.

Mbappe nënshkroi me Paris SG, por Minguella thotë se 18-vjeçari do të kishte preferuar më shumë një kalim në “Camp Nou”.

“Mbappe ishte shprehur se donte të nënshkruante me Barcelonën, kur mësoi se Neymar do të kalonte te PSG-ja”, thotë agjenti për “Cope”.

Minguella njoftoi gjithashtu se, përpara kalimit të Neymar nga Barça te PSG-ja, ai kishte biseduar me babain e futbollistit francez, i cili i kishte bërë të ditur dëshirën e të birit për t’iu bashkuar katalanasve.

Duke vepruar si ndërmjetësi, agjenti kishte kontaktuar Barçën për t’i deklaruar dëshirën e lojtarit, por klubi katalanas preferoi të vijonte me interesin ndaj Ousmane Dembele të Borussia Dortmundit.

“Barça mund ta kishte blerë për 120 milionë euro, plus 30 të tjera në formë bonusi. Fola me babain e tij dhe donte vetëm Barçën, sepse do t’i kishte pëlqyer jashtë mase të luante me Messin. Megjithëse ishte shumë e vështirë për mua të takoja Josep Maria Bartomeun (presidenti i Barcelonës), arrita t’i thoja se me kalimin e Neymar te PSG-ja mund të kishte siguruar shërbimet e Mbappe”, rrëfen agjenti.

Sipas tij, edhe Reali i Madridit është përfolur mbi një interesim për Mbappe, por madrilenët nuk ishin një opsion i mirë, pasi “Los Blancos”-it nuk do të shisnin kurrsesi njërin prej Cristiano Ronaldos, Gareth Bale apo Karim Benzemasë.

Mbappe iu bashkua PSG-së në formë huazimi, me detyrim blerjeje për 180 mln euro verën e ardhshme, ndërsa Barça siguroi shërbimet e Dembele për 105 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA